“Zonja e vetmuar” – Roman nga Namik Omeri

ÇAMERIA DJE DHE SOT: THIRRJE PËR MOSHARRIM
ahmet_mehmeti
  • Save

Romani “Zonja e Vetmuar” i Namik Omerit vjen para lexuesit me identitetin dhe individualitetin e tij të guximshëm duke
sintetizuar ne këtë vepër një frymë krejt të re, me një synim të vetëm: kundër harrimit të genocidit, të grabitjes së pronës së luajtshme e të paluajtshme, të trashëgimisë kulturore mijëravjeçare autoktone të shqiptarëve çamë në Greqi. Per t’ja arritur këtij qëllimi ai do të përdorë rrëfimin, ligjërimin, përshkrimin, monologun, dramën, tragjedinë, komentin, esenë etj. Në indet e këtij romani lexuesi do ndeshet me meditimin, historinë, autobiografinë, filozofinë, poezinë lirike dhe epike, idilin e kronikën etj. Guximi i autorit ne këte vepër novatore duket qartë kur ai bëhet hetues i personazheve dhe pasioneve te tyre dhe jo vetëm, por dhe i institucioneve shtetërore që qëndrojnë pas tyre.

Autori në këtë roman i del për zot të kryejë jo vetëm funksionet e rrepta të dijetarit, historianit, sociologut e psikologut, por edhe të gjykatësit. Gjykimit të tij i nënshtrohen të gjitha vendimet e gabuara dhe fajtore të historisë dhe politikës raciste greke, në të kaluarën dhe në të tashmen. Shënjestra të tij janë teokracia dhe shteti racist grek. Me këto qëndrime ai vetidentifikohet më shumë se me artin e vet romanor.

Në pjesën e dytë të këtij libri përfshihen edhe përshtypjet e udhëtimit “Në Tokën Çame”, në
formën e një eseje, ku bien në sy në mënyrë të harmonizuar edhe përsiatjet, përshkrimet etj., si dhe në pjesën e parë. Kjo pjesë e dytë rezonon me të parën, e plotëson atë dhe e sjell zhanrin e romanit në realitetin e sotëm me gjithë ngarkesën e tij ideo-emocionale, por mbi të gjitha me plotfuqishmërinë e tij për ta gjykuar këtë realitet dramatik, pse jo, edhe për të gjetur një zgjidhje. Një zgjidhje racionale, larg gjuhës dhe mjeteve të urrejtjes dhe dhunës, që ka përdorur dhe përdor pala greke.
Nga mënyra si shtjellohen ngarjet në roman, si përdoren stilet e ndryshme, si veprojnë ose mendojnë personazhet, del qartë se

zonja_e_vetmuar_namik_omeri
  • Save
për autorin novator ka rëndësi praktikimi i sa më shumë vështrimeve dhe teknikave artistike, me një kusht të vetëm që të kultivojë “të bukurën”. Pra, shumëllojshmëria e praktikave artistike të përdorura, teknikave të reja të rrëfimit si montazhi, monologu i brendshëm, distancimi etj., jane në funksion të nevojave dhe aspiratave të autorit, të mesazhit të tij sa madhor aq edhe human.

Duke ju referuar teorive të fundit për romanin kjo vepër e autorit tonë dëshmon se është “Një vend i privilegjuar për studimin e realitetit siç na paraqitet” (Pirre Chartier, 2005), pra “Romani është laborator i rrëfimit” (Michel Butor, 1956). Namiku jo vetëm demaskon e tregon haptas, por edhe nxjerr në pah aspekte të reja të realitetit të kaluar dhe të sotëm në Çamëri.
Si një roman me plot kuptimin kërkimor, eksplorues, luan në raport me vetëdijen që kemi për botën reale. Pra ky roman dhe autori i tij, e shkund ndërgjegjen e lexuesit duke vepruar në mënyrë të trefishtë: rrëfen, eksploron, përshtat. Në këtë mënyrë lexuesi përfiton përvoja të reja në kuadrin e shumëfunksionalitetit të letërsisë, të funksionimit shoqëror (social) të saj. Ato që e bëjnë modern këtë roman jane vështrimet e reja dhe teknikat e reja. Në romanet tradicionale kemi një personazh të vetëm, i cili hedh drite mbi gjithë historinë. Në rastin konkret kemi disa personazhe që zëvendësojne protagonistin. Besmir Haxhiu, personazhi që del në hyrje të veprës dhe akoma më shumë në pjesën e dytë të saj, është zëdhënësi i mendimeve të autorit. Më tej përçues të vijimësisë së romanit dalin në skenë nëna e tij dhe pastaj, i ati, Haki Hate, e më në fund edhe gjyshi në rolin e kryeplakut të fshatit Vërselë etj, për të kompletuar linjën autobiografike të kësaj vepre.

Dy personazhe mjaft  terheqëse dhe jashtëzakonisht interesantë janë Koloneli grek (një lloj mençurie) dhe e bija e tij, Dimitria (një idil surel jashtë kohës dhe hapësirës). Linja e tyre në këtë vepër shkëlqen me dritëhijet e tyre në sfondin e zymtë të ngjarjeve ne vijimësi. Të gjithë personazhet së bashku konstruktojnë subjektin e veprës, duke sjellë kështu një risi shumë tërheqëse dhe që kompletojnë historinë e lashtë dhe moderne të Çamërisë, të parë nga pikëvështrime nga më të ndryshmet, nga brenda dhe nga jashtë.

Vlen të theksohet në këtë kontekst se personazhe si Kosta, etj., përfaqësojnë çamët ortodoksë që aspirojnë me idealin: “Çamëria të mos zbrazet nga shqiptarët. Vetëm kështu do të jemi në gjendje, që nesër të bëhemi faktor e të mbjellim filizat e shpresës”.

Një personazh i skalitur me mjeshtëri të rrallë, një monstër e genocidit barbar grek, unik në poshtërsinë dhe ligësinë e tij në gjithë letërsinë moderne shqiptare, ballkanike dhe europiane, është Janis Vrakotis. Jo më kot autori këtë e ka vendosur në pjesën e dytë të veprës së tij . Kjo figurë e përçudnuar, pjellë e mjerimit më të skajshëm të racizmit biologjik grek, me prejardhje nga Azia e Vogël, i nxitur dhe ndërsyer nga kisha bizantine dhe agjentura shtetërore, i mbështetur gjithmonë nga Zerva në të kaluarën dhe vazhdimisht deri sot nga të gjitha qeveritë greke, tipizohet si simboli i gjallë i kriminelit racist.

Tjetër risi e romanit është monologu i brendshëm, një ligjërim pa auditor dhe i paartikuluar, me të cilin personazhi përkatës mendon në mënyrën më intime, pothuaj flet me vetveten, si në rastin e Daman Meros, kryeplakut të fshatit Vërselë, epiqendrës së këtij romani. Një tjetër personazh (tashmë negativ) që përjeton monologun e brendshëm është gjenerali Z…, ai që ndjenjën kombëtare të shqiptarëve e quan “farë e keqe” në ato mendimet e tij të ngatërruara, tipike për këtë lloj monologu. Autori këtë personazh, Napoleon Zervën, e quan “përbindësh i dalë nga skutat mesjetare”.

Një tip monologu me pyetje pa fund, i një lloji të jashtëzakonshëm në këtë vepër, është ai i vajzës tetëvjeçare që nuk mund të ecte më nga rraskapitja e rrugës dhe që mbyll këtë roman me pafajësinë fëminore duke akuzuar krimin e shëmtuar të genocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë.

Kjo vepër novatore ka një vlerë të jashtëzakonshme pasi krijon një dialog me lexuesin, një komunikim shpirtëror. Kur qan zemra e tij, qan edhe lexuesi me të njejtën dhembje të përbashkët, e kur ngazëllehet shpirti i tij pas kontakteve me dheun e shenjtë të të parëve të vet, gjallërohet e fluturon nga gëzimi edhe lexuesi i tij.
Romani “Zonja e Vetmuar” e Namik Omerit është një prurje artistike befasuese, me literaritet tipik postmodernist. Duke perifrazuar Kunderën, ky roman, krejt i ri në konceptim, është një formë madhore dhe veprimi e kohës sonë: ai e tejkalon artin e të treguarit , të ndërtuarit e një intrige , të jetuarit e personazheve, ai është meditim i njeriut për veten dhe për botën, për ekzistencën e tij në këtë botë.

Ahmet MEHMETI
Tiranë, 12.09.2016

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top
Share via
Copy link