Lartësitë e Stuhishme – Emily Bronte
“Shumë mirë. Në rast se kriteri që të martohesh është që të mendosh vetëm të tashmen, tani pa të dëgjojmë se ç’ju bën fatkeqe. Vëllai juaj do të kënaqet. Zonja e madhe dhe i shoqi them se nuk kanë vërejtje, ju do të ikni nga një shtëpi e rrëmujshme dhe e zymtë dhe do të futeni në një shtëpi të pasur dhe të nderuar. E doni Edgarin dhe Edgari ju do… Duket sikur puna po shkon vaj, cila është pengesa?”
“Ketu, është këtu!”, tha Ketrina duke goditur me një dorë ballin dhe me tjetrën gjoksin. “Apo në ndonjë vend tjetër kudo ku shpirti jeton. Thellë në zemrën time, në shpirtin tim jam e bindur se po veproj keq!”
“Kjo është shumë e çuditshme! Nuk ju kuptoj.”
“Kjo është e fshehta ime, por po më premtove se nuk do të tallesh, do të ta shpjegoj. Nuk mundem ta them qartas, por mund të të jap një ide të vagullt te asaj që ndiej.”
U ul përsëri pranë meje; fytyra e saj u bë edhe më e trishtuar, edhe më e ngrysur dhe duart e bashkuara i dridheshin.
“Neli, nuk të qëllon të shikosh ëndrra të çuditshme?” tha papritur pasi ndenji disa çaste e menduar.
“Po, nganjëherë”, u përgjigja.
“Edhe une. Në jetën time kam parë ëndrra që më kanë mbetur brenda një herë e mirë dhe e kanë shndërruar mënyrën time të të menduarit. Janë bërë pjesë e imja, sikurse vera kur bashkohet me ujin dhe kanë ndryshuar ngjyrën e mendimeve të mia. Dhe kjo është një: do të ta tregoj, por ki kujdes teksa do të të flas.”
“Mos u bëj merak, zonjusha Ketrin!” thirra. “Ky vend është kaq kobndjellës, sa nuk është nevoja të thirren shpirtra dhe shajni që të na shqetësojnë akoma më shumë. Mbajeni veten dhe silluni e gëzuar si gjithmonë! vështrojeni Hejrtonin e vogël. Ai nuk shikon ëndrra të këqija. Sa ëmbël buzëqesh në gjumë!”
“Po dhe sa ëmbël blasfemon i ati në vetminë e tij! Ma do mendja se ti e mban mend kur ishte një vogëlush topolak si ky dhe pothuajse po aq i ri dhe i pafajmë. Megjithatë Neli, do të të detyroj të dëgjosh. Nuk është muhabet i gjatë. Dhe sonte s’po mund të jem e qeshur.”
“Nuk dua të të dëgjoj, nuk dua të të dëgjoj!” përsërita nxitimthi.
Asokohe isha bestyte për sa u përket ëndrrave dhe jam dhe sot e kësaj dite. Dhe Ketrina kishte një pamje jashtëzakonisht të vrarë, gjë që më kallte frikën se mos ndodhte ndonjë mënxyrë e frikshme. Nuk iu bë qejfi, por nuk vijoi.
Pak më vonë, nisi të fliste, por e ndërroi bisedën.
“Po të isha në parajsë Neli, do të isha fatkeqe në kulm.”
“Sepse nuk je e denjë të shkosh aty”, u përgjigja. “Të gjithë mëkatarët do të ishin fatkeqë në parajsë.”
“Nuk është kjo arsyeja. Një herë më qëlloi të shoh në ëndërr se ndodhesha aty.”
“Po jua them përsëri që nuk dua të dëgjoj ëndrrat tuaja, zonjushë, po shkoj të bie në shtrat”, e ndërpreva sërish.
Ajo qeshi dhe më pengoi, kur bëra të ngrihesha nga karrigia.
“Nuk prish punë”, thirri. “Doja vetëm të të thoja që parajsa nuk më dukej si shtëpia ime dhe më këputej zemra duke qarë që të kthehesha mbi tokë dhe ëngjëjt ishin kaq të zemëruar sa më përzunë në mes të pllajës në majë të Lartësive të Stuhishme, ku u zgjova duke qarë nga gëzimi. Kaq mjafton për të të shpjeguar sekretin tim, sikurse dhe tjetra. Edgar Lintoni nuk është njeriu me të cilin do të martohesha, krejt njësoj sikur të ndodhesha në parajsë. Dhe në rast se ai njeri pa shpirt aty brenda në shtëpi nuk do ta kishte poshtëruar aq shumë Hithklifin, as nuk do ta kisha menduar kurrë të martohesha me Lintonin. Do të ishte poshtëruese për mua të martohesha tani me Hithklifin. Ai s’ka për ta ditur kurrë sa e dua. Dhe jo se është i pashëm, Neli, por se ai është unë, më shumë nga ç’jam unë vetë. Sido që të jenë bërë shpirtrat tanë, shpirti i tij dhe i imi janë të njëjtë dhe shpirti i Lintonit ndryshon aq shumë, sa ç’ndryshon një rreze hëne nga rrufeja, apo akulli nga zjarri.”
“Dua të mashtroj ndërgjegjen time dhe t’i mbush mendjen vetes se Hithklifi nuk di gjë për këtë që folëm. Është kështu apo jo? Ai nuk e di ç’do të thotë të kesh rënë në dashuri?”
“Nuk ka pse të mos e dijë, ashtu sikurse dhe ju e dini”, ia ktheva. “Dhe në qoftë se ju jeni ajo që ai ka zgjedhur, ka për të qenë njeriu më fatkeq në botë! Në çastin që ju do të bëheni zonja Linton, ai do të humbasë të vetmen mike që ka, do të humbasë dashurinë e tij dhe gjithçka tjetër. A e keni parasysh se sa ka për t’i kushtuar fakti që do të mbetet krejt i vetëm në këtë botë? Sepse që ta dini zonjusha Ketrin…
“Ai krejt i vetëm në botë! Ne të dy të ndarë!”, thirri me zemëratë. “Pa më thuaj, kush do të na ndajë? Ka për të pësuar fatin e Milos! Derisa të kem jetë, Neli, asnjë krijesë njerëzore nuk do të mund të na ndajë. Të gjithë Lintonët mbi këtë dhe mund të zhduken dhe unë nuk do të pranoj të heq dorë kurrë nga Hithklifi! Eh, nuk dua të them këtë! Unë nuk do të bëhesha kurrë zonja Linton po të më kërkohej të paguaja një çmim të tillë! Ai për mua do të jetë i njëjti njeri që ka qenë tërë jetën time. Edgari duhet ta lërë mënjanë antipatinë e tij dhe të paktën të mësojë ta tolerojë.. Ka për ta bërë me të marrë vesh se ç’ndiej unë në të vërtetë për të. Neli, tani po e kuptoj që ti mendon se unë jam një egoiste e pabesë, por nuk e ke menduar ndonjëherë se po të martohesha me Hithklifin, do të ishim të dy lypsarë? Ndërsa, po të martohem me Lintonin, do të mund ta ndihmoja Hithklifin të ngrinte kokë duke e shpëtuar nga pushteti i vëllait tim.”
“Me paratë e burrit tuaj, zonjusha Ketrin?”, e pyeta. ” Nuk ka për të qenë pa kocka si mendon; edhe pse unë nuk jam gjykatësi më i mirë, mendoj se midis të gjitha arsyeve që më keni dhënë deri tani për t’u martuar me Lintonin, kjo është arsyeja më e dobët.”
“Nuk është e vërtetë”, ma ktheu. “Është më e mira. Të tjerat synonin thjesht të plotësonin tekat e mia; edhe ato të Edgarit, për ta kënaqur atë. Kurse kjo bën fjalë për dashurinë ndaj një njeriu, që përmbyll në vetvete ç’ndiej unë për Edgarin dhe për veten time. Nuk di si ta shpreh; po me siguri ti, sikurse të gjithë, e ndjen se ka ose duhet të ketë një jetë tjetër jashtë teje. Ç’kuptim do të kishte të vija në jetë, në rast se unë do të kufizohesha vetëm në veten time? Vuajtjet e mia më të mëdha në këtë jetë kanë qenë ato që kam ndier për Hithklifin dhe i kam vërejtur dhe përjetuar të gjitha që nga fillimi; mendimi im më i thellë në jetë është ai. Sikur të vdisnin të tërë dhe të mos mbetej askush përveç tij, unë do të vazhdoja të jetoja; në rast se të gjithë të tjerët do të mbeteshin gjallë dhe ai do të zhdukej, gjithësia do të ishte krejt e huaj për mua: nuk do ta ndieja më veten pjesë të saj.
Dashuria ime për Lintonin është si gjethnaja e pyjeve, koha do ta ndryshojë, këtë e di fort mirë, ashtu sikurse dimri ndryshon pemët. Dashuria ime për Hithklifin u përngjet shkëmbinjve të përjetshëm nën tokë: nuk të kënaqin me dukjen e tyre, por janë të nevojshëm. Neli, unë jam Hithklifi! Atë e kam gjithmonë në mendimet e mia: nuk është një kënaqësi, ashtu sikurse unë nuk jam gjithmonë një kënaqësi për vetveten, ai është vetë qenia ime. Prandaj mos më fol më për ndarje: nuk është e mundur, është…”
Heshti dhe e fshehu fytyrën nën palat e fundit tim, por unë ia ngrita lart me forcë. Çmenduria e saj e kishte shteruar durimin tim.
-Lartësitë e Stuhishme, Emily Bronte