Poezi nga Skender Rusi
Skënder Rusi- TI ENDE NUK MË NJEH
Ti ende nuk m’i njeh mirë,
Ato që rrinë fshehur tek unë,
Njeh mirë lëkurën time,
Por jo detin që fshihet brenda saj!
Njeh mirë mënyrën se si lëvizin qepallat,
Por jo sytë,
Njeh shtrëngimin e duarve,
Por jo duart,
Ti ende nuk njeh mirë
Atë që s’duket tek unë,
Njeh mirë ecjen time,
Por jo vrapin tim,
Njeh mirë buzët e mia,
Por jo puthjet,
Njeh frymëmarrjen time,
Por jo ajrin që lëviz prej saj,
Njeh kollën time,
Por jo dhimbjen e kollës,
Njeh ditët e mia,
Por jo netët,
Njeh mirë dridhjen e duarve,
Por jo të shpirtit,
Ti ende nuk më njeh mirë
Ashtu si duhet,
Njeh zërin tim
Por jo jehonën e tij,
Njeh mirë dashurinë,
Por jo atë që të dashuron
Njeh mirë luftën time,
Por jo plagët që kam marrë,
Njeh mirë atë që ka vdekur tek unë,
Por jo ato që janë gjallë!
Njeh mirë të qeshurën time,
Por jo shkakun e saj,
Njeh lotët e mi,
Por jo arsyet e tyre,
Njeh dashurinë time,
Por jo zhgënjimet,
Të gjitha të panjohurat
Janë timet!