Tregohet një histori për një mbret shumë kohë më parë … Shpesh ai bënte gjëra që u dukeshin të çuditshme njerëzve…
Një natë, ndërsa të gjithë flinin, ai vendosi një gur të madh në rrugën që të çonte pranë pallatit të tij. Pastaj u fsheh pas një gardhi dhe priti të shihte se çfarë do të ndodhte.
Fillimisht kaloi një fermer me karrocën e tij të ngarkuar rëndë me grurë, të cilin po e çonte në mulli për ta bluar. “Ooooo, kush e ka bërë një pakujdesi të tillë?” bërtiste ndërsa ecte rreth gurit. “Pse këta dembelë nuk e kanë hequr këtë gur nga rruga?” Dhe kështu ai vijoi të ankohej për kotësinë e të tjerëve, por duke mos e prekur vetë gurin.
Menjëherë pas kësaj, një ushtar i ri kaloi duke kënduar përgjatë rrugës, i cili, duke mos e parë goditi këmbën duke rënë në pluhur. Ushtari i nevrikosur u ngrit duke folor me zemërim për ata njerëzit që jetonin kot e për drejtuesit e vendit që vetën shihnin interesat e tyre…e më pas u largua pa e kaluar në mëndje se mund ta lëvizte vetë.
Kështu dita kaloi. Të gjithë ata që kalonin ankoheshin dhe ankoheshin sepse guri ishte në rrugë, por askush nuk e preku. Mbreti shihte gjithçka ndërkohë….
Më në fund, pikërisht në mbrëmje, vajza e mullixhiut kaloi dhe sapo e pa gurin mendoi: “Është pothuajse errësirë. Dikush mund të bjerë mbi këtë gur gjatë natës dhe ndoshta ai mund të lëndohet keq. Dhe kështu filloi përpjekjet për ta larguar, ndonëse zhvendosja e tij kërkonte shumë fuqi.
Pas disa përpjekjesh vajza e zhvendosi gurin, kur papritur pa një kuti në tokë pikërisht në vendin ku kishte qënë guri.
Ngriti kutinë e rëndë ku të shkruhej: “Kjo kuti është e atij që lëviz gurin”. Kur e hapi, pa e habitur e plot gëzim monedha të shumtë floriri..
“Miqtë e mi,” tha mbreti të nesërmen teksa ngjarja kishte marrë dhenë, -“Shpesh gjejmë pengesa dhe probleme në rrugën tonë. Mund të ankohemi tërë jetën ndërsa ecim ose mund të zgjedhim të veprojmë për zgjidhjen e tyre … mund t’i ngremë dhe të zbulojmë se çfarë kuptimi kanë. Zhgënjimi është zakonisht çmimi i dembelizmit.”