Sergej Esenin – LETËR NËNËS
Gjallë je, ti moj nënoçka ime?
Gjallë jam edhe unë… të përshendes
Paqja e mbuloftë këtë mbrëmje
Izbën tënde deri në mëngjes.
Mora vesh se ti je merakosur
Atje larg për mua përseri
Se ti shpesh del rrugës e brengosur
Mbështjellë me të vjetrin shall të zi.
Kur e kaltër mbrëmja bie pranë,
Të fanitet ty gjithmonë sikur
Diku mua larg në nje mejhane
Një i dehur thikën po ma ngul.
Kot ti nënë rri me gjak të ngrirë
Ky nuk është veç vegim i zi
S’jam aq vagabond i pamëshirë
Sa të vdes pa të shikuar ty.
Unë i ëmbël jam prapë si më parë
Endërroj kur fushat larg vërej
Që së shpejti nga këto mejhane
Në shtepinë e vogël prapë të kthej.
Do të kthej atëherë kur të mbushet
Kopshti ynë i bardhë me blerim
Vetëm ti si tetë vjet më parë
Mos më zgjo herët në agim.
Mos m’i zgjo ti ëndrrat që m’u zverdhën
Mos kujto atë që vate e shkoi…
Se në botë humbjet edhe lodhjet
Herët i provon nënë moj.
Mos m’u lut t’i falem zotit prapë!
Tek e shkuara nuk ka më kthim
Vetëm ti je gazi im i vetëm
Ti e vetmja paqe e shpirtit tim.
Pra ti flaki brengat nëna ime
Mos u trishto për mua përsëri
Dhe mos dil aq shpesh tek rruga e madhe
Mbështjellë me të vjetrin shall të zi.
– Sergej Esenin, Letër Nënës, përkthyer nga Ismail Kadare