“Dëshiroj që të dish
diçka.
Ti e di si është kjo punë:
nëse vështroj
hënën e kristaltë, degën e kuqërremtë
të vjeshtës së ngadaltë në dritaren time,
nëse prek
pranë zjarrit
hirin e parrokshëm,
a trupin e rrudhosur të drurit,
gjithçka më çon drejt teje,
thua se ç’më rrethon,
erërat, drita, hekurishtet,
të jenë varkëza që lundrojnë
drejt ishujve të tu në pritje.
Përpos,
nëse me ngadalë ti rresht së më dashuri,
unë do të rresht së të dashuri dalëngadalë.
Nëse befas
më harron,
mos më kërko,
do të t’kem harruar tashmë.
Nëse ti e quan të marrë dhe të pafundmë
flladin e flamujve
që kalon për nga jeta ime,
dhe merr vendimin
të më lesh fillikat në breg
të zemrës ku kam rrënjët,
mendo që
në atë ditë,
në po të njëjtën orë,
krahët do i ngre
dhe rrënjët e mia do të dalin
në kërkim të tjetër toke.
Por
nëse çdo ditë,
në çdo orë,
ndjen se jam unë fati yt
me butësi të patundshme,
nëse çdo ditë në buzët e tua
ngjitet një lule e më kërkon,
oh dashuri, oh imja ti,
brenda meje gjithë ai zjarr merr sërish flakë,
brenda meje kurrgjë s’shuhet, e as harrohet,
dashuria ime ushqehet me dashurinë tënde, e dashur,
e për aq frymë sa të kesh ajo do të prehet mes krahëve të tu
pa lëshuar kurrë të mitë.”