Një zemër nën një gur

te_mjeret
  • Save

Reduktimi i gjithësisë në një qenie të vetme, ja kjo është dashuria.
Sa i trishtuar është shpirti kur është i trishtuar nga dashuria!
Çfarë zbrazëtie e madhe është mungesa e krijesës që vetëm për vetëm mbush gjithë botën! Oh! Sa e vërtetë është që krijesa e dashuruar bëhet perëndi! Do të thoshim se Zoti është xheloz, në qoftë se ati i gjithësisë nuk do ta kishte bërë me siguri krijimin për shpirtin dhe shpirtin për dashurinë.
Mjafton një buzëqeshje e ajgëtuar atje tutje nën një kapelë krepi të bardhë me fjongo ngjyrë jargavani, që shpirti të hyjë në pallatin e ëndrrave.
Gjërat jane të zeza, krijesat janë të patejdukshme. Të dashurosh një qenie, do të thotë ta bësh të tejdukshme.
Dashnorët që janë larg nga njëri-tjetri, e gënjejnë mungesën me mijëra ëndrra, të cilat, megjithatë, kanë realitetin e tyre. Dikush i ndalon ata të shihen, t’i shkruajnë njëri-tjetrit; ata gjejnë një mori mjetesh misterioze për të marrë e për të dhënë midis tyre. Ata i dërgojnë njëri-tjetrit këngën e zogjve, kundërmimin e luleve, qeshjen e fëmijëve, dritën e diellit, psherëtimat e erës, rrezet e yjeve, të tërë gjithësinë. Dhe pse jo? Çdo gjë është krijuar për t’i shërbyer dashurisë. Dashuria është aq e fuqishme, sa për ta mbushur tërë natyrën me dërgesat e saj.
O pranverë, ti je një letër që une i shkruaj asaj.
E ardhmja u përket shumë më tepër zemrave, sesa mendjeve. Dashuria, ja kjo është e vetmja gjë që mund të pushtojë dhe të mbushë amëshimin. Së pafundmes i duhet e pashtershmja.
Dashuria është pjesë e vetë shpirtit. Ajo është e një natyre me të. Ashtu si shpirti, dashuria është një shkëndijë hyjnore, është e pathyeshme, e pandashme, e pavdekshme. Dashuria është një pikë zjarri në veten tonë, e pavdekshme dhe e pafundme, që asgjë s’mund ta kufizojë dhe asgjë s’mund ta shuajë. E ndien se si digjet gjer në palcë dhe se si rrezaton deri në fundin e qiellit.
O dashuri! Adhurime! Dalldisje e dy mendjeve që kuptohen, e dy zemrave që këmbehen me njëra-tjetrën, e dy vështrimeve që depërtojnë te njëri-tjetri! O lumturira, ju do të më vini, apo jo! Shëtitje kokë më kokë ndër vende të vetmuara! Ditë të bekuara e rrezatuese! Disa herë kam ëndërruar sikur kohë më kohë disa orë shkëputeshin nga jeta e ëngjëjve dhe vinin këtu poshtë të përshkonin fatin e njerëzve.
Zoti nuk mund t’i shtojë asgjë lumturisë së atyre që dashurohen, veçse t’u japë atyre vazhdimin pa mbarim të kësaj lumturie. Pas një jete plot dashuri, një amëshim dashurie është në të vërtet një shtesë; por që të shtojë gjithashtu edhe lumturinë e paanë që dashuria i jep shpirtit qysh në këtë botë, këtë edhe vetë zoti nuk e bën dot. Dashuria është plotësia e njeriut.
Njeriu e vështron një yll për dy arsye, sepse ai është i shndritshëm dhe sepse është i padepërtueshëm. Pranë tij ka një rrezatim më të ëmbël dhe një mister më të madh, gruan.
Të gjithë, cilëtdo qofshim, kemi qeniet që janë për ne si ajri që thithim. Në qoftë se këto qenie na mungojnë, na mungon ajri dhe mbytemi. Atëherë njeriu vdes. Të vdesësh për mungesë dashurie, është gjë e llahtarshme. Asfiksi e shpirtit!
Kur dashuria i ka shkrirë dhe përzier dy qenie në një njësi ëngjëllore dhe të shenjteruar, për to është gjetur sekreti i jetës; ato s’janë gjë tjetër veçse dy skajet e një fati të vetëm; ato s’jane më tjetër veçse të dyja flatrat e një shpirti të vetëm. Dashuroni, fluturoni krahëhapët!
Ditën kur një grua kalon para jush dhe lëshon dritë duke ecur, ju mbaruat; keni rënë në dashuri. S’ju mbetet më tjetër për të bëre veçse një gjë, të mendoni për të aq ngultas, sa edhe ajo të detyrohet të mendojë për ju.
Dashuria e vërtetë  pikëllohet e ngazëllehet për një dorezë të humbur ose për një shami të gjetur, dhe ka nevojën e përjetësisë për vetëmohimin e saj dhe shpresat e saj. Dashuria përbëhet njëkohësisht nga ajo që është pafundësisht e madhe dhe pafundësisht e vogël.
Në qoftë se je gur, bëhu magnet; Në qoftë se je bimë, bëhu e ndjeshme; Në qoftë se je njeri, bëhu dashuri.
Dashuria s’ngopet me asgjë.
O ju që dashuroheni, të gjitha këto i keni te dashuria. Mësoni ta gjeni aty. Dashuria ka aq sa ka edhe qielli, kundrimin, dhe më tepër se qielli, zjarrin.

-A vjen vallë ajo akoma në “Luksemburg”?
– Jo, zotëri.
– Në këtë kishë vjen e dëgjon meshën, apo jo?
– Ajo s’vjen më këtu.
– A banon gjithnjë në këtë shtëpi?
– Është mbartur së këtejmi.
– Ku ka vajtur të banojë?
– Nuk tha gjë për këtë.

Sa gjë e zymtë të mos e dish adresën e shpirtit tënd!
Dashuria ka çilimillëqe, pasionet e tjera kanë vogëlsira. Turp për ato pasione që e ulin njeriun! Lavdi atij pasioni që e bën njeriun fëmijë.
Ç’gjë e çuditshme, a e dini ju këtë? Unë jam në terr. Një krijesë, kur shkoi, mori me vete edhe qiellin.
Oh! Sikur të jemi të shtrirë pranë e pranë në të njëjtin varr, të zënë dorë për dore, dhe njëkohësisht, në errësirat, t’i përkëdhelim butë-butë njëri-tjetrit një gisht, kjo do t’i mjaftonte amëshimit tim.
Ju që vuani sepse dashuroni, dashuroni akoma më shumë. Të vdesësh nga dashuria, është njësoj si të jetosh nga ajo.
Dashuroni. Një shpërfytyrim i errët plot yje përzihet me këtë sfilitje. Në agoni ka ekstazë.
O gaz i zogjve! Ata kanë këngën në gojë, sepse kanë një fole.
Dashuria është një frymëmarrje qiellore e ajrit të parajsës.
Kam takuar në rrugë një djalosh të ri që dashuronte. Kapela e tij ishte e vjetër, kostumi i tij ishte i ronitur; bërrylat i kishin dalë; ujët kalonte përmes këpucëve dhe yjet përmes shpirtit të tij.
Sa gjë e madhe është të jesh i dashuruar! Dhe sa më e madhe akoma të dashurosh! Zemra, bëhet heroike kur mbruhet me pasion. Ajo përbëhet vetëm nga dëlirësia; ajo s’mbështetet mbi asgjë tjetër veçse mbi gjëra të larta e të mëdha. Një mendim i padenjë nuk mund të lëshojë rrënjë, ashtu siç nuk mund të lëshojë rrënjë një hithër mbi një akullnajë. Shpirti i lartë dhe i dëlirë, i paarritshëm nga pasione dhe emocionet vulgare, që çohet mbi retë dhe terret e kësaj bote, mbi marrëzitë, gënjeshtrat, mëritë, kotësitë, mjerimet, banon ne kaltërsinë e qiellit dhe nuk ndien më gjë tjetër veçse tronditjet e thella dhe të nëndheshme të fatit, ashtu siç i ndiejnë majat e malit tërmetet.
Në qoftë se nuk do të kishte njeri që të dashuronte, dielli do të shuhej.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top
Share via
Copy link