Gjej një vajzë që lexon. Do ta dish që ajo e bën vërtet këtë gjë, sepse gjithmonë do të ketë në çantë një libër të papërfunduar. Është ajo vajza që pëlqen të rrëmojë raftet e librave në një librari, është ajo vajza që qan fshehuarazi nga gëzimi sepse më në fund e gjeti librin që kërkonte prej aq kohësh. A e shikon atë vajzën e çuditshme që po shfleton faqet e një libri të vjetër në rrugë? Ajo është një vajzë që lexon.
Është pikërisht ajo vajza që është duke lexuar ndërkohë që pret t’i bëhet kafeja në lokalin poshtë rrugës. E humbur në botën e mrekullueshme të fantazisë. Ulu afër saj. Mund të të shikojë shtrembër, sepse shumica e vajzave që lexojnë nuk ju pëlqen t’iu ndërpresin leximin. Pyete nëse po i pëlqen libri që po lexon.
Ofroji një filxhan tjetër me kafe.
Tregoji asaj se çfarë mendon në të vërtetë për Murakamin. Shiko nëse e ka lexuar kapitullin e parë të Vëllazërimit. Mundohu të kuptosh nëse kur ajo thotë që e ka kuptuar domethënien e vërtetë të Uliksit të James Joyce, e ka kuptuar vërtet apo e thotë vetëm për t’u dukur më e zgjuar. Pyete nëse i pëlqen Liza në Botën e Cudirave apo do të donte që ajo vetë të ishte në vend të Lizës.
Është e lehtë të lësh takim me një vajzë që lexon. Dhuroji asaj libra për ditëlindje, për Krishtlindje, për përvjetor. Jepi asaj dhuratën e çmuar të fjalëve, në poezi apo në këngë. Dhuroji asaj Nerudën, Pound, Sexton apo Cummings. Tregoji asaj që ti e kupton që fjalët e thëna bukur janë dashuri. Mundohu të kuptosh që ajo e di diferencën mes librave dhe realitetit ku jeton, por ajo thjesht po mundohet ta bëjë realitetin e saj të ngjashëm me atë të librit të saj të preferuar. Nuk është faji yt nëse ajo s’ia del mbanë ta bëjë këtë.
Ajo gjithsesi do ta provojë ta bëjë.
Gënjeje atë. Nëse ajo kupton sintaksën, atëherë do ta kuptojë dhe nevojën tënde për të gënjyer. Pas fjalëve fshihen gjëra të tjera dhe ajo e di mirë: motivim, vlera, nuancë dhe dialog. Nuk ka për të qenë fundi i botës për të.
Bëje që të dështojë. Sepse një vajzë që lexon e di mire që dështimi do ta çojë drejt një kulminacioni. Sepse një vajzë që lexon e di shumë mire që çdo fillim e ka një fund, por ti gjithmonë mund të shkruash historinë. Që ti mund t’ia fillosh sërish e sërish nga e para dhe akoma të jesh heroi kryesor. Që në jetë patjetër do të ndeshësh një personazh negativ apo dy.
Përse duhet të friksohesh për gjithçka që nuk je? Një vajzë që lexon e kupton që njerëzit, ashtu si dhe personazhet e librave, rriten dhe zhvillohen. Përveç personazheve të serialit Tçilight, sigurishtJ
Nëse arrin të gjesh një vajzë që lexon, mbaje afër. Kur e gjen atë zgjuar në dy të natës duke lexuar, beji një filxhan të ngrohtë me çaj dhe përqafoje fort. Mund të humbasësh vëmendjen e saj për disa orë rresht, por ajo do të kthehet gjithmonë te ty. Ajo do të flasë për personazhet e librave sikur ata të ishin të vërtetë, sepse për një periudhë të shkurtër, ata ishin vërtet pjesë e jetës së saj.
Mund t’i propozosh asaj hipur mbi një balonë me ajër. Ose gjatë një koncerti rroku. Ose prit kur ajo të sëmuret. Mund t’i propozosh dhe duke përdorur Skype.
Do të qeshësh aq shumë sa do të pyesësh veten si ka mundësi qe s’të plasi kraharori nga të qeshurat. Me siguri historia e jetës suaj do të jetë e pazakontë, do të keni fëmijë me emra të çuditshëm dhe me shije akoma më të çuditshme. Ajo do t’u tregojë fëmijeve të tu për Macen me Kapele dhe Luanin e madhërishëm Aslan, mbase brenda të njëjtës ditë. Ju do të ecni ne dimrin e moshës së thyer, përkrah njeri- tjetrit dhe ajo do të të recitojë nën zë poemat e John Keats, ndërkohë që shkund dëboren nga kepucët.
Lër takim me një vajzë që lexon, sepse ti e meriton atë. Ti meriton nje vajzë që mund të të dhurojë jetën me ngjyrat më të mrekullueshme që mund të imagjinosh. Nëse gjithë ç’ka mund t’i japësh ti është monotia, t’i vjedhësh orët e saj të çmuara, apo t’i bësh propozime gjysmake, atëherë më mirë lëre atë vetëm. Po nëse dëshiron botën dhe botën përtej saj, atëherë lër takim me një vajzë që lexon.
Ose më mire akoma, lër takim me një vajzë që shkruan.
– Rosemarie Urquico