Plaku e dinte mirë se ç’mund të ndodhte kur të arrinte në mesin e rrymës, por s’kish ç’te bënte.
-Ke ç’të bësh, tha me zë të lartë. Mund të lidhësh thikën me njërën lopatë.
Kështu bëri, duke mbajtur timonin nën dorë dhe duke shkelur me këmbë litarin e pëlhurës.
-Ja pra, tha. Vërtet jam plak tani. Por une jam i çarmatosur.
Era frynte tani e freskët dhe ai lundronte shpejt. Vështronte vetëm pjesën e përparme të peshkut dhe shpresa iu kthye përsëri.
– Është marrëzi të mos kesh shpresë, mendoi. Veç kësaj, besoj se kjo është mëkat. Mos mendo për mëkatin, tha me vete. Tani ke telashe të tjera përveç mëkatit. Nga mëkatet nuk kuptoj shumë.
Unë nuk i kuptoj mirë mëkatet dhe s’ma merr mendja që besoj në to. Ndoshta bëra mëkat që vrava peshkun. Besoj se mëkat është, megjithëse e vrava që të nxjerr bukën dhe që të ushqehen me të shumë njerëz. Por në fund të fundit, çdo gjë që ben, është mëkat.
– Mos mendo për mëkatet. është shumë vonë për këtë gjë dhe ka plot njerëz që paguhen për t’u marrë me mëkatet. Le të mendojnë ata për to. Ti ke lindur që të jesh peshkatar, ashtu si dhe peshku ka lindur që të jetë peshk. Shën Pjetri qe peshkatar, ashtu si dhe babai i Di Maxhios së madh.
Por i pëlqente të mendonte për të gjitha gjërat që kish rreth e rrotull, dhe gjersa nuk kish asgjë për të lexuar dhe nuk kishte radio, mendohej shumë, dhe tani vazhdonte të vriste mendjen për mëkatin.
-Ti nuk e vrave peshkun vetëm që të mos vdesësh urie dhe që ta shesësh për të nxjerrë bukën, mendoi. Ti e vrave atë nga krenaria dhe sepse je peshkatar. Ti e deshe peshkun sa ishte gjallë dhe e do ende edhe tani që vdiq. Në qoftë se e deshe, do të thotë se nuk bëre mëkat që e vrave. Apo ndoshta mëkati është më i madh?
– Ti po e vret mendjen kaq shumë, o plak, mendoi.
Por ti e vrave me gëzim dentuson, tha me vete. Ai ushqehet duke vrarë peshq, si dhe ti. Ai nuk i ha kërmat dhe nuk është i pangopur si janë gjithë peshkaqenët. Ai është i bukur dhe fisnik dhe nuk trembet nga asgjë.
– E vrava atë për të mbrojtur veten, tha plaku me zë të lartë. Dhe e vrava me mjeshtëri.
Përveç kësaj, mendoi, çdo gjë në botë vret diçka tjetër në ndonjë farë mënyre. Peshkimi më vret mua, pikërisht në kohën që më ushqen. Djali më mban mua gjallë, mendoi. Nuk duhet ta gënjej veten kaq shumë.