Ka shumë e shumë vjet
Në një vend afër në det,
Ish një vajzë që mundni ta njihni tani
Nën emrin Annabel Li;
Dhe kjo vajzë më donte edhe tjetër s’kërkonte
Veç ta deshja sikundër më deshti.
Isha i vogël dhe ishte e vogël në vjet
Në atë vend afër në det;
Po duheshim më teper se me dashuri
Une dhe imja Annabel Li;
Me një dashuri që edhe Ëngjëjt lart në lavdi
Që të dyve na kishin zili.
Prandaj, tani e shumë vjet,
Tek ky vend afër në det,
Fryri veriu nga retë e ma ngriu
Te bukurën Annabel Li;
Edhe motrat e saj ëngjëllesha
Ma rrëmbyen, ma mbyllën në varr se e desha,
Dhe keshtu më la shendet
Nga ky vend afër në det.
Ëngjëjtë që s’kishin sa ne dashuri
Që të dyve na mbanin mëri.
Po prandaj, siç e dini vërtet,
Tek ky vend afër në det
Fryri veriu një natë e ma ngriu
E ma vrau timen Annabel Li.
Dashuria qe kishim ish m’e fortë se çdo dashuri,
S’e ka pasur as plak as i ri,
As i marr’ as i urtë njeri
Dhe as Engjëjt e qiellit në re,
As demonët përposht në skëterrë;
Shpirtin tim s’mund ta shqitin nga shpirti
I së bukurës Annabel Li.
Se tek hëna që ndrit, syri im ëndërrit
Për të bukurën Annabel Li;
Dhe çdo yll që shkëlqen syt’ e ëmbël rrëfen
Të së bukurës Annabel Li;
Natë e ditë e shoh, edhe zemrën ma ngroh,
Shoq’ e dashura ime, e mjera jetime,
Përmbi varrin ku deti buçet,
I rri pranë mbi varrin në det.
Edgar Allan Poe, “Annabel Li”, përkthyer me mjeshtëri nga Fan S. Noli