Poezi Nga Charles Bukowski
NDJE MË SHUMË, MENDO MË PAK
Ndonjëherë s’ke kohë as ta vësh re.
Në pak sekonda ndodh gjithçka.
Gjërat ndryshojnë.
Mbetesh gjallë. Vdes.
Bota vazhdon, ecën.
Të brishtë jemi, si fije letër.
Jetojme në zgrip të përqindjeve, me kohë të kufizuar.
Dhe kjo është e mira dhe e keqja e kësaj,
i thonë “faktori kohë”.
Dhe nuk ke ç’bën.
Mund të shkosh e të rrish në majë të malit,
të rrish atje duke përsiatur dhjetëra vjet dhe të mos
ndryshosh gjë.
Mund të ndryshosh vetveten në një farë mënyre,
por dhe kjo mund të të dalë për keq.
Ndoshta shumë e vrasim mendjen.
Ndje më shumë, mendo më pak.
NË KURTH
Mos e zhvish dashurinë time
se mund të gjesh një manekin:
mos e zhvish manekinin
mund të gjesh
dashurinë time.
Ajo prej kohësh
më ka harruar.
Ja, po provon
një kapele të re
dhe ngjan
më lozonjare
se kurrë.
Ajo është
fëmijë
dhe manekin
edhe vdekje.
S’mundem
ta urrej.
S’po bën
ndonjë të pabërë.
Unë vetëm e doja.
NJË KËNGË PA FUND
Kur Whitman shkruante, “I këndoj trupit elektrik”
Unë e di çfarë kishte
ndërmend
unë e di se ç’donte:
Me qenë krejtësisht gjallë në çdo çast,
sido që të ngjasë.
Vdekjen ne nuk mund ta mashtrojmë,
por ama, mund ta lodhim
aq sa, kur të na marrë
ne
t’i njihet si fitore
po aq e madhe
sa edhe jona.
– Poezi nga Charles Bukowski