Një legjendë e shekullit të 19’
E Vërteta dhe Gënjeshtra
E Vërteta dhe Gënjeshtra u takuan dikur. Gënjeshtra e përshëndeti Të Vërtetën dhe i tha: -“Ditë e bukur sot”.
E Vërteta, që të sigurohej, hodhi një sy rrotull, vështroi qiellin dhe me të vërtetë dita ishte e bukur!
Ecën për pak sëbashku dhe arritën tek një pus i madh i mbushur plot me ujë. Gënjeshtra zhyti dorën në ujë dhe iu kthye të vërtetës duke i thënë: – “Uji qenka i pastër dhe i ngrohtë, dëshiron të notojmë së bashku”?
Përsëri, E Vërteta ishte dyshuese.
E provoi vetë me dorë, por uji me të vërtetë ishte i ngrohtë!
U futën pra të dyja në ujë dhe notuan për një kohë të gjatë.
Kur papritmas Gënjeshtra doli nga uji, veshi rrobat e Së Vërtetës dhe u zhduk.
E Vërteta e zemëruar, doli e zhveshur nga pusi dhe vraponte kudo duke kërkuar Gënjeshtrën që të merrte mbrapsht rrobat e saj.
Njerëzit që e shikonin të zhveshur, e hidhnin vështrimin diku tjetër, qoftë nga turpi, qoftë nga zemërimi. E gjora E Vërtetë, e turpëruar, u kthye te pusi dhe u zhyt aty përgjithmonë.
Që prej asaj kohe, Gënjeshtra shëtit e shkujdesur kudo, e veshur me rrobat e Së Vërtetës duke përmbushur tekat e njerëzve, të cilët në asnjë mënyre nuk duan të shikojnë Të Vërtetën ashtu si është, të zhveshur.