Kambana e Qelqtë – Nga Sylvia Plath

Sylvia Plath

Kambana e Qelqtë - Nga Sylvia Plath
  • Save

Kambana e qelqtë – Sylvia Plath

E mbaj mend ditën kur më buzëqeshi dhe tha:
– E di çfarë është poezia, Ester?
– Jo, çfarë? – thashë unë.
– Një grimcë pluhuri. – Dhe dukej kaq krenar për këtë mendim të tijin, saqë nuk më ngeli gjë tjetër veç të ngulja sytë te flokët e tij bjondë, sytë blu dhe dhëmbët e bardhë – ai kishte dhëmbë shumë të gjatë dhe të fortë – dhe t’i thosha: “Ma merr mendja që po”.
Vetëm pas një viti, në mes të Nju Jorkut, e kisha gati një përgjigje të denjë për atë pohim.
Kalova shumë kohë duke bërë biseda imagjinare me Badi Uillardin. Ai ishte nja dy vjet më i madh se unë dhe mendja e tij punonte në mënyrë shkencore, ndaj gjithnjë dinte si t’i vërtetonte gjërat. Kur isha me të, më duhej t’u jepja rremave për të mos u fundosur.
Këta dialogë që kisha në kokë nisnin kryesisht me përsëritje bisedash qe kisha bërë me Badin, vetëm se, në vend që të rrija aty e thjesht të thosha “Ma merr mendja që po”, ato përfundonin me përgjigjet e mia mjaft të prera.
Dhe tani, e shtrirë mbi shtrat, imagjinoja Badin të thoshte:
“- E di çfarë është poezia, Ester?
– Jo, çfarë?
– Një grimcë pluhuri.
Dhe sapo ai të niste të buzëqeshte me nje pamje krenare, unë do t’ia ktheja:
– Ashtu janë kufomat që hap ti. Ashtu janë njerëzit që ti kujton se po shëron. Ata janë pluhur si pluhuri vetë. Për mua, një poezi e mirë jeton ku e ku më shumë sesa qindra prej atyre njerëzve të marrë së bashku”.
Dhe sigurisht , Badi nuk do të kishte sesi t’i përgjigjej kësaj, sepse ajo që kisha thënë unë ishte e vërtetë. njerëzit përbëheshin nga hiçi ashtu si pluhuri, veçse s’e kuptoja sesi shërimi i atij pluhuri mund të ishte më i mirë sesa shkrimi i poezive, që njerëzit do t’i mbanin mend dhe do t’ia përsëritnin vetes kur të ishin të trishtuar, të neveritur apo kur nuk i merrte gjumi.

– Sylvia Plath

Për të lexuar më shumë pjesë të bukura nga letërsia botërore, ju lutem klikoni këtu.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top
Share via
Copy link