(Përkthyer nga Jorgo Bllaci)
Sergei Esenin – PUTHMË
Puthmë moj e dashur puthmë
Gjer në dhimbje, gjer në gjak
S’e duron dot ftohtësirën
Zemra ndezur zjarr e flakë.
S’është kupa e përmbysur
Mes gazmoreve për ne
Ti një gjë kupto moj mike
Veç një herë rron mbi dhe.
Shih në mes të errësirës
Hënën që shkëlqim vërshon
Sikur t’ish një korb i verdhë
Përmbi tokë fluturon.
Puthmë de se kalbësia
Këngën time ma këndoi
Ka të ngjarë qielli lart
Fundin tim parashikoi
Eh moj forcë që venitesh
Do të vdes kjo s’ka dyshim
Vetëm dua t’i puth mikes
Buzët gjer në fundin tim.
Që pa turp edhe pa drojtje
Ëmbëlsisht kur t’ëndërroj
Tok me shushurima vishnjesh
“Jam e jotja” – të jehojë.
Qe si shkuma përmbi kupë
Drita mos na shuhet ne
Ndaj këndo moj mikja ime
Veç një herë rron mbi dhe.