Kur Diellin, me zjarr kurorëzuar,
E pret nga pas Natyra faqeshkruar.
Shoqen me mall e shoh n’gjumë shtruar
Dhe foshnjen buzëqeshur më të zgjuar.
Zgjohu! Mëngjesi me shigjet’ e grisi
Perden e Natës, Yjt’ i arratisi,
Dhe Dielli gjahtar me rreze stisi
Malet, pallatet e majë çdo lisi.
Me Ver’ e Vajza, me Llaut’ e Valle,
Me Fyell e me Këngë po s’u çmalle,
Jeta s’vlen hiç; se pa këto nuk është
Veç pemë helmi, pus e tym vërdallë.
Një ëngjëll më tërhiqte në Xhami,
Një djall po zvarriste ne Dolli;
Po Ver’ e kuqe fitoi dashuri;
Gërshet andej – edhe andej Hardhi.
Si mjer’ ai që dashuri s’ka ndjerë
Dhe zemra s’i ka ndritur në Pranverë:
Pa Ver’ e Dashuri çdo ditë e mjerë
Prej meje s’numërohet asnjëherë.
– Rubairat, ” Omar Khajam”, përkthyer me mjeshtëri nga Fan S. Noli